Nga Giovanni Firera
Në panoramën kulturore evropiane bashkëkohore, gjithnjë e ma shumë e përshkueme nga tensione identitare dhe trajektore të reja gjeopolitike, po del me forcë zani poetik i Vehbi Miftarit, autor i Rrëfimeve, një vepër që vendoset në kryqëzimin mes kujtesës personale, rrënjëve kulturore dhe hapjes ndërkombëtare.
Ky vëllim përfaqëson shumë ma tepër se një përmbledhje e thjeshtë poetike: asht një udhëtim i brendshëm që ndërthuret me historinë kolektive të një populli, atij kosovaro-shqiptar, dhe me horizontin ma të gjanë evropian. Në një kohë kur fjala “identitet” shpesh përdoret për me kriju ndasi, Miftari ia kthen poezisë rolin e saj ma të vërtetë: atë të urës mes kulturave.
Shkrimi i Miftarit lëviz në një vijë të hollë, por të fuqishme: në njanën anë rrënjosja në vendlindjen e tij, Kosovën, e në anën tjetër një prirje e vazhdueshme drejt dialogut me Perëndimin, sidomos me Italinë. Poezia e tij asht rrëfim, por edhe rindërtim i kuptimit, reflektim mbi fatin individual dhe kolektiv.
![]() |
| Giovanni Firera me Vehbi Miftarin |
Në tekstin hyrës theksohet se prodhimi i tij poetik vendoset në një “yjësi” ku kujtesa, identiteti dhe vizioni bashkohen me një kthjelltësi të rrallë. Pra nuk kemi të bëjmë me lirika të izolueme, por me një projekt të mirëfilltë kulturor, të aftë me i kalu kufijtë gjeografikë dhe gjuhësorë.
Forca e Rrëfimeve qëndron edhe te biografia e autorit. Vehbi Miftari nuk asht vetëm poet, por edhe figurë institucionale dhe intelektual i angazhuem. Rruga e tij akademike dhe diplomatike — që e ka çu edhe pranë Selisë së Shenjtë — i jep shkrimit të tij një thellësi shtesë, të ndërtueme mbi përvojën e drejtpërdrejtë të proceseve kulturore dhe politike evropiane.
Kjo dimension i dyfishtë, letrar dhe diplomatik, e ban veprën veçanërisht domethanëse në një moment historik kur dialogu mes popujve duket ma i nevojshëm se kurrë.
Nuk asht rastësi që Italia zë një vend qendror në horizontin poetik të Miftarit. Lidhja kulturore mes dy brigjeve të Adriatikut reflektohet në një shkrim që din me përfshi, me hapë dhe me pyetë. Në këtë kuptim, Rrëfimet paraqiten si një vepër dialogu, që e fton lexuesin italian me u përballë me një realitet shpesh të perceptuem si i largët, por në të vërtetë thellësisht i lidhun.
Në një epokë të shënjueme nga thjeshtime dhe përplasje, poezia e Vehbi Miftarit dallohet për aftësinë me kthye kompleksitetin pa e humbë qartësinë. Asht një zë që nuk bërtet, por lë gjurmë; që nuk ndan, por bashkon.
Rrëfimet paraqiten kështu si një kontribut i rëndësishëm jo vetëm në planin letrar, por edhe në atë kulturor dhe qytetar, duke ofru një vështrim autentik mbi një Evropë që, për me e gjetë veten, duhet së pari me mësu me i dëgju zërat e saj të shumtë.




Nessun commento:
Posta un commento